Çun Lajçi: Albin Kurti nuk është “malazez”, por bir i trojeve shqiptare që kurrë s’ua ndërruan shpirtin
Çun Lajçi, përmes një reagimi të gjatë dhe të ngarkuar me simbolikë historike e emocionale, i del në mbrojtje Albin Kurti, duke e cilësuar si padrejtësi dhe mohim identiteti etiketimin e tij si “malazez”. Lajçi rikujton se Katërkolli, Ulqini, Tivari, Tuzi e Trieshi janë troje shqiptare të ndara padrejtësisht nga fuqitë e mëdha, por kurrë të shkëputura nga gjuha, kujtesa dhe shpirti shqiptar. Sipas tij, askush s’ka të drejtë t’i mohojë rrënjët atyre që, në forma të ndryshme, i kanë shërbyer kombit.
Në krahasimin mes figurave historike të Malësisë dhe rolit politik të sotëm, Lajçi thekson se siç Dedë Gjon Luli e mbrojti Malësinë e Tuzit, ashtu Kurti e ka mbrojtur Veriun e Kosovës – secili me mjetet e kohës së vet: pushkë, fjalë, durim e këmbëngulje. Reagimi mbyllet me një mesazh bashkimi e urimi në ditën e Krishtlindjes, duke theksuar se Shqipëria është dhe do të mbetet kudo ku flitet shqip dhe ruhet kujtesa e maleve.
Edhe unë jam nip i Martinajve e Martinajt, njisoj si Katërkolli, si Ulqini e Tivari, Tuzi e Trieshi janë trojet tona që fuqitë e mëdhaja ia dhan Malit Zi me i kullotë, por kurrë s’mujtën me ia ndrrue edhe shpirtin!
Por;
– në asnji kohë s’me quejtën malazez edhe pse për 50 vjet s’reshta se shkruemi për Bali Demën e Ali Pashën, për Jakup ferrin e Esad Mekulin, për Çun Mulën e Dedë Gon Lulin.
Sa herë kam knue për Marash Ucin e bijtë e Calit, sa herë m’ka ardhë në andërr Mar Lula e Marash Pali i Shalës, jam çue me i marrë ngrykë, jo veç për trimninë, po për gjuhën që ma ruejtën, për kangën që ma lan n’penin e lahutës.
Tringë Smajlit i kam çua selamë: Rueje xhubletën, se ka me ardhë dita që bota ka me thanë; – Tringë Ivezaj e veshi e ne do ta ruejmë n’kancelaritë tona sa t’jetë jeta!
Sot ia ruejnë Marashit Lahutën.
Sot ia ruejnë Tringës Xhubletën
E ne krenohemi për trimat e kufinit,
dhe, me gratë që rritën Marash Pala e Marash Lula!
Sa herë m’ka ardhë n’andërr Prek Cali, jam çue n’maje t’gishtave me marrë ngrykë, jam hipë n’thep guri me ia puthë grykën e pushkës – për kufijtë që i ruejti, për gurët që i nguli me gjakun e damarëve.
E kurrë,
o kurrë s’iu kam thanë “malazez”
se kurrë s’ka kjenë Vranina e Shasi, Traboini e Deçiçi tokë e huej për shqipën.
Prandaj m’thoni ju që urreni vetvetën, që si doni trojet që flasin gegnisht,
mjaltin e shqipës e kujtesën e maleve:
Pse vllaun tuej, Albinin, djalin e Katërkollit e thërrisni malazez!
Po ç’na qenka atëherë Dedë Gjon Luli?
Ai e ruejti Malësinë e Tuzit, Albini e ruejti Veriun e Kosovës.
Secili e ban luftën në mënyrën e vet, me pushkë, me fjalë, me durim a me kambëngulje.
Sot janë Krishtlindjet. Sot i uroj Albinin e Dedën, Tuzin e Vermoshin: Kjoftë livdue Jezu Krishti, se Shqipni a kjenë e Shqipni ka me kjenë n’tana anët e n’tana kohët!
25.12.2025

Leave a Reply