Ligji i Trumpit për mbrojtjen kombëtare përfshin Kosovën dhe i dërgon mesazh të prerë Ballkanit: pa ndarje, pa pazare, drejt NATO-s.
Veprimtari shqiptaro-amerikan Harry Bajraktari ka reaguar ndaj nënshkrimit nga Presidenti Donald Trump të Ligjit për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare të SHBA-së, duke e cilësuar atë si një moment historik dhe një garanci të fuqishme politike e strategjike për Kosovën.
Bajraktarit në shkrimin e tij në Facebook, potencoi se përfshirja e Kosovës në këtë ligj dëshmon qartë peshën që Uashingtoni i kushton sigurisë së saj, stabilitetit të Ballkanit Perëndimor dhe të ardhmes euroatlantike të shtetit të Kosovës, përcjell “Bota sot”.
Shkrimi i plotë
Presidenti Donald Trump nënshkruan Ligjin për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare, i cili autorizon mbi 901 miliardë dollarë për programet e mbrojtjes dhe në të cilin është përfshirë edhe Kosova. Kjo reflekton peshën dhe rëndësinë që Shtëpia e Bardhë dhe Kongresi amerikan i kushtojnë sigurisë së Kosovës dhe stabilitetit të Ballkanit Perëndimor.
Mesazhi është i qartë: paqja, stabiliteti dhe e ardhmja demokratike e Kosovës janë interes strategjik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare:
– Mbështet zgjerimin e NATO-s në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë edhe perspektivën e anëtarësimit të Kosovës në Aleancën Veriatlantike
– Konfirmon se qëllimi final është njohja reciproke
– Refuzon çdo ide për ndarje, shkëmbim territoresh apo ndryshim kufijsh mbi baza etnike
Kjo nuk është simbolike. Është një garanci politike dhe strategjike se integriteti territorial, sovraniteti dhe orientimi pro-perëndimor i shtetit tonë mbeten të mbrojtura nga aleati ynë më i madh.
Kosova duhet ta lexojë me kujdes këtë ligj dhe t’i përmbushë detyrat e saj, sepse kjo qasje e forcon pozitën tonë ndërkombëtare dhe e afron edhe më shumë anëtarësimin e Kosovës në NATO — synimin tonë madhor për siguri, stabilitet dhe një të ardhme euroatlantike.
Kosova ka një shans historik të ecë përpara, e mbështetur në një partneritet të palëkundur me Shtetet e Bashkuara, që ka qenë dhe mbetet themeli i lirisë, pavarësisë dhe perspektivës sonë si shtet demokratik.
Zoti i bekoftë të gjithë shqiptarët, kudo që janë.

Leave a Reply