Adi Krasta ka rifilluar emisionin e tij në televizionin e familjes Berisha. Dhe në fillim të emisionit, ai ka shprehur shqetësimin për publikun dhe audiencën. Sipas tij, publiku pothuajse nuk ekziston më dhe audiencës nuk i bëhet më vonë se çfarë ndodh në vend.
“Dhe në këtë panoramë distopike, vijmë pikërisht te ai entitet për të cilin thamë se pothuaj nuk ekziston më – publiku.
Nuk ekziston në formën që e kemi njohur dikur. Ka funksionuar një normë shumë e ashpër gjatë 130 viteve të fundit, ku publiku nuk prekej. Nazëmadh, i gjerë, i gjithëfuqishëm, gjykues, vendimtar – ai nuk analizohej kurrë, nuk prekej kurrë. Njerëzit e medias bënin harakiri, vetëm e vetëm që publiku të ishte i paprekur në atë marrëdhënie aq të pabarabartë.
Sot ai, i mpirë e i mpakur, nuk e ka më fuqinë e dikurshme për të përcaktuar fatet e individëve apo të vlerave. Por unë dua të besoj ende që nuk i drejtohemi një audience bosh, së cilës nuk i intereson kur zgjedhjet vidhen. Besoj ende që nuk kemi përballë një publik që gëzohet kur shteti, në 4:35 të mëngjesit, në pandemi, prish në mënyrë hitleriane teatrin e vetëm të kryeqytetit.
Çfarë mund të ketë ndodhur kur një publik jeton çdo ditë në plehra, hedh plehra, prodhon plehra, dhe nuk është i shqetësuar që inceneratorët janë vjedhur dhe mbetjet janë bërë emergjencë kombëtare?
Çfarë mund të ketë ndodhur me një publik që dashuron e jeton për telenovelat e vendeve ish-perandorake, duke u entuziazmuar për gjuhë e norma që të kujtojnë një realitet të para 120 vjetëve?
Dua të besoj që nuk kam përballë një publik që zgjedh të mos mendojë si kritik i qeverisjes, por si qeverisësi i tij. Një publik që nuk di apo nuk do ta pranojë se qeverisësi, pikërisht këtë publik nuk e merr në konsideratë.
Një marrëdhënie e çuditshme sado-mazo, kjo, që e ka historinë të gjatë e të dhimbshme në këtë vend. Ka, megjithatë, ishuj të shëndetshëm. Janë të shpërndarë, pa ndriçim, pa zë, pa emër, pa fuqi, pa nerv, apo të mundur – por janë ishuj të mirë të këtij publiku, dhe janë arsyeja e vetme pse nuk e kemi braktisur këtë pozicion. Ndërkohë ne, pavarësisht gjithçkaje, le të mbetemi me kokëfortësi tek lajmet e penguara të jetës suaj të përditshme”, thotë Krasta.

Leave a Reply